A ka mungesë të listës esenciale të barnave?
Ndërlidhjet Kalo tek artikujt kryesorë [#content] Kalo te faqja kryesore Kalo te kërkimi Kërko Kërko E mëparshme E ardhshmja 0 Lajm i jashtëzakonshëm E mëparshme E ardhshmja 0 Drejtpërdrejt Shëndetësi A ka mungesë të listës esenciale të barnave? mars 05, 2010 Ariana Kasapolli - Selani Shpërndaje Shpërndajeni në Facebook Shpërndajeni në Twitter Shpërndajeni në Google+ Dërgoje me email Sistemi shëndetësor në Kosovë vazhdon të ballafaqohet me probleme të ndryshme. Një ndër to është edhe furnizimi me barna esenciale në Qendrën Klinike Universitare (QKU). Infektologu Ilir Tolaj thotë se në klinika vërehet mungesë e vazhdueshme e llojllojshmërisë së barnave. “Në klinikën tonë vërehet një mungesë e vazhdueshme e llojllojshmërisë, por edhe zbrazëti e barnave. E kemi reduktuar shumë protokollin e trajtimit të pacientëve, për shkak të mungesës së barnave ose sasisë shumë të vogël të tyre. Problem në trajtimin e pacientëve është mungesa e preparateve më elementare” , thotë Tolaj. Ndërkaq, deklarimet e zyrtarëve shëndetësorë se ka përmirësime në sistemin shëndetësor, Tolaj i quan të pavërteta. “Pavarësisht deklarimeve që vijnë, se është bërë një përmirësim i dukshëm me furnizim me barna e tek ne nuk vërehet, kjo flet për gjendjen e sistemit shëndetësor në përgjithësi” , vlerëson Tolaj. Në anën tjetër, Faik Hoti, zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se Qendra Klinike Universitare është e pajisur mirë me barna, material shpenzues dhe citostatikë. Sipas tij, mungesa e listës esenciale mund të jetë pasojë e porosive të vonuara. “Furnizimi është shumë i qëndrueshëm dhe për tre muajt e ardhshëm QKU-ja është e furnizuar shumë mirë. Kohë pas kohe, ka mungesa, që vijnë me vonesë porositë, por kryesisht është mirë. Po marr shembull Qendrën Emergjente, ku furnizimi është 96.1 për qind” , thotë Hoti. Basri Lenjani, drejtor i Qendrës Emergjente, po ashtu pohon se kjo qendër është e pajisur mirë me barna dhe, sipas tij, ato do të ishin të mjaftueshme sikur të trajtoheshin rastet emergjente. Mirëpo, shton Lenjani, në këtë qendër trajtohen 80 për qind e rasteve joemergjente, andaj ka edhe mungesë. “Rastet emergjente mund të them se i mbulojmë 94 për qind, derisa rastet e ftohta nuk mund t’i mbulojmë, sepse mungojnë” , deklaron Lenjani. Por, Asllan Bajrami, përfaqësues i Sindikatës së Shëndetësisë, thotë se vazhdimisht ka ankesa se mungojnë barna nga lista esenciale. Ai thotë se ky problem është duke zgjatur me vite. “Lista esenciale nuk është problem i sotëm. Në anën tjetër, qeveritarët tanë dalin me shifra që janë në kundërshtim me realitetin. Duhet të ndërrohet qasja, mënyra, politikat shëndetësore...” , thotë Bajrami. Zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë tashmë kanë pohuar se një përmirësim mund të ndodhë vetëm me investime. Sipas tyre, askund nuk janë më të nevojshme dhe më të frytshme investimet, sesa në sistemin shëndetësor. Ariana Kasapolli - Selani Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë. Abonohuni Kthehu në fillim Na ndiqni Informacionet Ne Politikat Rregullat e forumit Çfarë është RSS? Partnerët shkabaj.net dukagjini.com Radio Evropa e Lirë © 2016 RFE/RL, Inc. Të gjitha të drejtat e rezervuara. XS SM MD LG