This version of the page http://www.zeriamerikes.com/a/us-europol-isis/3620214.html (0.0.0.0) stored by archive.org.ua. It represents a snapshot of the page as of 2016-12-24. The original page over time could change.
Kërcënimet nga ndryshimi i taktikave të veprimit të ISIS-it

Lidhje

  • Kalo në faqen kryesore
  • Kalo tek faqja kryesore
  • Kalo tek kërkimi
  • Learning English
Gjuhët
DAESH

Kërcënimet nga ndryshimi i taktikave të veprimit të ISIS-it


Një grua me fëmijën duke ikur nga zona e kontrolluar nga ISIS-i në Mosul në pjesën e kontrolluar nga ushtria irakiane

  • Facebook
  • Twitter
  • Google+
  • Email to a Friend

Senatori republikan, Bob Corker, tha se administrata e re amerikane do të mund të përballet me një gamë të re problemesh derisa grupi militant Shteti Islamik po ndryshon qasjen duke u përqendruar në shpërndarjen e ideologjisë radikale dhe nxitjen e veprimeve t dhunshme jashtë territoreve qe kontrollonte deri tash.

Gjatë një dëgjimi në komitetin për marrëdhënie me jashtë të Senatit amerikan mbi "të ardhmen e strategjisë kundër terrorizmit", ai tha se derisa po vazhdon operacioni në Mosul dhe fushata në Raqqa, ISIS-i mund të humbë shumë shpejt territoret më të rëndësishme që mbante nën kontroll.

Senatori Bob Corker

"Derisa ISIS po ndryshon nga një organizatë që synonte mbajtjen e territoreve, në një organizatë të përqendruar më shumë në frymëzimin dhe drejtimin e dhunës dhe shpërndarjes së ideologjisë radikale, administrata e ardhshme do të përballet me një gamë të re e mbase edhe më të llojllojshme të problemeve", tha ai.

"Ne tashmë e kemi parë se si ISIS-i dhe grupet tjera kanë përdorur taktika të ndryshme - nga rrjetet e organizuara që kryen sulme të bashkërenduara në Evropë deri tek bombardimet e mëdha vetëvrasëse ë botën arabe, tek sulmet e frymëzuara të 'ujqërve të vetmuar' si ato që ndodhën në qytetin tim Chattanooga, Orlando, San Bernardino dhe këtë javë në Universitetin Shtetëror të Ohios", tha senatori Corker duke theksuar se "ISIS-i dhe Al Qaeda e kanë dëshmuar se mund të jenë mjaft elastik përballë trysnisë së skajshme duke e ndryshuar veten dhe duke shfrytëzuar konfliktet gjithandej nëpër botë për të lëshuar rrënjë në popullatën lokale".

Shqetësime të ngjashme ka ngritur edhe policia evropiane (EUROPOL), sipas së cilës derisa ISIS-i po humbë territore në Lindjen e Mesme, modeli i sulmeve të fundit terroriste në Evropë lë të kuptohet se ai tashmë ka përshtatur taktika të reja për sulme në perëndim.

Këto shqetësime janë ngritur ne raportin e Qendrës së EUROPOL-it për luftë kundër terrorizmit, që është publikuar të premten. Raporti përmbledh vlerësimet për kërcënimet që paraqet ky grup për BE-në dhe bazën mbi të cilën vendet anëtare mund të përgatiten për sulmet e ardhshme.

Aktualisht, thuhet në raport, BE-ja përballet me një varg kërcënimesh terroriste: nga grupet e organizuara tek 'ujqërit e vetmuar'; sulmet e drejtuara nga ISIS-i tek ato të frymëzuara prej tij; nga përdorimi i mjeteve shpërthyese e armëve automatike tek armët e ftohta dhe makinave; sulmeve të përgatitura me kujdes dhe atyre të kryera spontanisht.

Në raport thuhet se mund të ketë përpjekje të reja për "sulme të tjera në BE, qoftë nga 'ujqërit e vetmuar' apo grupet. Sipas vlerësimeve të disa shërbimeve të zbulimit lënë të kuptohet se dhjetëra njerëz të drejtuar nga ISIS-i mund të jenë të pranishëm në Evropë me mundësi për të kryer sulme terroriste".

Përveç Francës e Belgjikës, të gjitha vendet tjera anëtare të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër ISIS-it mund të jenë në shënjestër të terroristëve të drejtuar nga ISIS-i, thuhet në raport në të cilin tërhiqet vërejtja se skenari më i mundshëm është përdorimi i "mënyrës së njëjtë të veprimit", përfshirë edhe armët e ngjashme të përdorura në sulmet e mëhershme.

EUROPOL-i tërheq vërejtjen që nëse ISIS-i mundet apo dobësohet shumë në Siri dhe Irak, mund të ketë një kthim të luftëtarëve të huaj dhe familjeve të tyre dhe se ekspertët e kundër terrorizmit pohojnë se ISIS-i mund të fillojë planifikimin dhe kryerjen e sulmeve nga Libia.

Në raport thuhet mes tjerash se ISIS-i mund të përdorë forma të ndryshme të dhunës, rrjetet kriminale por edhe krizën e refugjatëve, ndërsa tërhiqet vëmendja në ekzistimin edhe të grupeve të tjera që mund të paraqesin kërcënim për perëndimin.

Vlerësimet e organizatave të ndryshme të përfshira në luftën kundër terrorizmit flasin për rreth 6 mijë luftëtarë nga Evropa që mund t'u jenë bashkuar konflikteve në Siri dhe Irak.

Afro 4 mijë e 200 prej tyre janë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe pjesa më e madhe, rreth 2 mijë e 800 prej tre janë nga katër vende: Belgjika, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe.

Rreth 900 luftëtarë nga Ballkani mund t'u jenë bashkuar konflikteve pas shpërthimit të luftës në Siri.

Trego komentet

Back to top
XS
SM
MD
LG