This version of the page http://www.evropaelire.org/a/27556342.html (0.0.0.0) stored by archive.org.ua. It represents a snapshot of the page as of 2016-03-16. The original page over time could change.
Tetë vjet shtet - festë dhe protestë

Ndërlidhjet

  • Kalo tek artikujt kryesorë
  • Kalo te faqja kryesore
  • Kalo te kërkimi
Aktuale

Tetë vjet shtet - festë dhe protestë

  • Zijadin Gashi

Foto nga arkivi

  • Shpërndajeni në Facebook
  • Shpërndajeni në Twitter

Kosova shënon sot tetë vjetorin e shpalljes së pavarësisë, por si asnjëherë më parë, kjo ditë po shënohet ndaras dhe në dy forma, me kremtim dhe protesta.

Agjenda e paraditës në sheshet e Prishtinës, parasheh organizimin e aktiviteteve të parapara nga Këshilli Organizativ i cili funksionon nën autoritetin e Qeverisë së Kosovës, për shënimin e tetë vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Përderisa pasditja, pritet t’i ‘takojë’ opozitës për organizimin e protestës me të cilën do të kërkohet dorëheqja e qeverisë së Kosovës.

Ceremonia qendrore gjatë orëve të paradites do të jetë parakalimi i Forcave të Sigurisë dhe të Policisë së Kosovës. Kurse udhëheqës të institucioneve, partive politike si dhe qytetarët këtë paradite e shënojnë duke bërë homazhe për ata që sakrifikuan, kontribuuan apo flijuan jetën e tyre për Kosovën e pavarur.

Si zakonisht, do të dominojnë homazhet te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, si dhe te Kompleksi Memorial, Adem Jashari në Prekaz.

Ndërkohë, pasditja pritet të ndryshojë gjithë zhvillimet festive. Tri subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma pritet që të organizojnë një protestë me të cilën do të kërkohet dorëheqja e qeverisë aktuale.

Përndryshe, për tetë vjet shtet, Kosova ka arritur të sigurojë 111 njohje (sipas shifrave zyrtare në faqen e Ministrisë së Punëve të Jshtme).

Po ashtu, me gjithë përpjekjet, Kosova nuk arriti të bëhet anëtare e UNESCO-s, ndërkaq ende nuk ka siguruar raportin pozitiv për liberalizimin e vizave. Një e arritur në proceset integruese mbetet nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, si hap i parë drejt lidhjes së marrëveshjeve kontraktuale me BE-në.

Nga aspekti i sundimit të rendit dhe ligjit, raportet ndërkombëtare kanë njohur disa përparime, por ende si sfidat kryesore mbeten gjyqësori i ndikuar nga politika, korrupsioni, krimi i organizuar si dhe mungesa e vendosjes së rendit të plotë kushtetues në veri të vendit.

Shteti i formuar në partneritet me perëndimin, është përfshirë edhe në sfidën globale që ndërlidhet me eskremizmin dhe terrorizmin.

Sipas të dhënave nga Qeveria e Kosovës, por edhe nga shoqëria civile, që nga viti 2012 e deri më tash, numri i shqiptarëve nga Kosova që u janë bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste, në Siri dhe Irak, është rreth 300 syresh.

Rreth 50 prej tyre janë deklaruar të vrarë gjatë luftimeve atje.

Kosova ka shpallur pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008, mbi bazën e dokumentit gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, i njohur si Plani i presidentit Marti Ahtisaari. Ky dokument, u bë më pas bazë e Kushtetutës së Kosovës e cila e përcakton atë si një shtet të pavarur, sovran por edhe shumë etnik.

  • Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 01 janar 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001.

    Abonohuni

Trego komentet

Kthehu në fillim
XS
SM
MD
LG